09:57 / E Enjte, 14 Janar 2021 / OSH

Basha: 40 për qind e shqiptarëve jetojnë me më pak se 3.5 euro për frymë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se nën qeverisjen e Edi Ramës, qytetarët shqiptarë po varfërohen.

Në një shkrim në Facebook, Basha thotë se ndërsa Rama dhe ministrat e tij shumëfishojnë pasuritë e tyre, Shqipëria varfërohet.

Kreu i PD-së ka publikuar edhe shifrat që tregojnë se 40 për qind e shqiptarëve jetojnë me më pak se 4.19 dollarë (3.5 euro) për frymë.

Basha ngre shqetësimin se papunësia është shtuar dhe kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.

“Ndërsa Rama dhe ministrat e tij shumëfishojnë pasuritë e tyre, Shqipëria varfërohet. Papunësia është shtuar, kosto e jetesës është bërë e papërballueshme. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për xhepat e shqiptarëve dhe jo të Ramës dhe ministrave të tij”, shkruan Basha.