18:00 / E Hënë, 17 Qershor 2024 / LB

Basha: Berishës i duhet vula e PD-së si mburojë për hallet e tij

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Berisha, në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “nongratës” nga Britania e Madhe.

“Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

Basha tha se Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij, ndërsa Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.

“Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në”, deklaroi Basha.

Ai shtoi se rruga pa krye ku e ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë./ATSH