75 Mall Live Search
16:46 / E Martë, 09 Shtator 2025 / MSH

Basha dhe Angılı flasin për komunitetet në Kosovë dhe shqiptarët në Turqi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mirëpriti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, dhe zëvendësambasadoren, Şeyda Çimeli Aydın.

Gjatë zhvillimit të takimit, Basha e njoftoi ambasadorin Angılı për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, konkretisht për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryetari Basha e theksoi angazhimin e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke siguruar që të drejtat e tyre të respektohen dhe të mbrohen në përputhje me standardet më të larta që ofron legjislacioni ynë. Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës do të punojë për të adresuar të gjitha nevojat e komuniteteve përmes agjendës legjislative të këtij mandati.

Një nga temat kyçe të diskutimit ishte edhe pozita e mërgatës shqiptare në Turqi, e cila është vlerë e shtuar dhe faktor i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve. Mërgata shqiptare ka kontribuar në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe ekonomike, duke krijuar urë të fuqishme mes popujve tanë.

Basha e falënderoi Angılın për mbështetjen e vazhdueshme dhe për bashkëpunimin e ngushtë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, duke e konsideruar këtë si hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori turk i dorëzoi Bashës letrën e urimit nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Prof. Dr. Numan Kurtulmuş.

Në mesazhin e tij, Kurtulmuş shprehu “urimet për popullin vëllazëror të Kosovës për paqe dhe mirëqenie, duke i përcjellë gjithashtu urimet për sukses dhe shëndet për anëtarët e nderuar të Kuvendit të Kosovës”.

Në përfundim të takimit, Basha e falënderoi kryetarin e Parlamentit të Turqisë për urimin, si dhe u pajtuan me ambasadori Angılı për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në nivel edhe më të lartë, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve, përmes krijimit të grupeve të miqësisë sa më shpejt.

Komisionet, grupet parlamentare dhe grupet e miqësisë do të luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve, duke mundësuar një komunikim dhe bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve.