Basha diskuton zhvillimet politike dhe procesin zgjedhor me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.
Kryetari i Kuvendit shprehu keqardhjen që nuk u votuan disa prej çështjeve të rëndësishme në Kuvend, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet e komunave, ligjin e buxhetit, si dhe raportin e RTK-së që do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së pagave për punëtorët.
Një pjesë e bisedës u përqendrua te procesi zgjedhor në vend, rëndësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe respekti mes subjekteve politike.
“Kosova është dëshmuar se organizon procese zgjedhore të rregullta, ndërsa qytetarët tanë kanë treguar vazhdimisht kulturë të lartë demokratike”, theksoi Basha.
Basha gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, aleatin tonë të çmuar dhe siç e cilësoi ai, modelin e përhershëm për vlerat dhe standardet demokratike./Indeksonline/

