75 Mall Live Search
13:29 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / S Z

Basha: Hungaria ka mbështetur palëkundur Kosovën ndër vite

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në pritjen e Ambasadës hungareze në Prishtinë me rastin e Ditës Kombëtare të Hungarisë, ka shprehur mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite. 

“Në ceremoninë e mbrëmshme të organizuar nga Ambasada hungareze për shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë, pata nderin të merrja pjesë dhe të shprehja, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, mirënjohjen për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite. Nga njohja e pavarësisë sonë, te mbështetja në arenën ndërkombëtare, e deri te programi Stipendium Hungaricum përmes të cilit mbi 100 studentë tanë janë ndihmuar drejtpërdrejt të hapin horizontet e botës akademike në tërë botën, Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë dhe partner i qëndrueshëm i vendit tonë”, ka shkruar Basha në Facebook.

I pari i kuvendit në fjalën e tij, ka vlerësuar guximin dhe qëndresën e popullit hungarez për liri, që ashtu si e kaluara e popullit tonë, mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe urime popullit mik hungarez Dita Kombëtare e shtetit të tyre”, tha Basha.