75 Mall Live Search
10:13 / E Premte, 19 Qershor 2026 / Z S

Basha në Samitin e Transportit: Mbështetni projektet strategjike të Kosovës

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, në Samitin e Investimeve në Transport, ku ishte panelist së bashku me ministrat homologë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka kërkuar mbështetje për projektet strategjike infrastrukturore të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të MIT, gjatë diskutimit, Basha ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së projekteve infrastrukturore të Kosovës, me fokus të veçantë në projektet hekurudhore, të cilat sipas tij, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, kanë edhe rëndësi strategjike për rajonin dhe vetë Evropën.

Ai ka kërkuar që këto projekte të mbështeten nga partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar se investimet në infrastrukturë kontribuojnë në forcimin e lidhjeve tregtare, rritjen e mobilitetit dhe avancimin e integrimit ekonomik evropian.

Në panel kanë marrë pjesë ministrat e transportit dhe infrastrukturës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, Ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit, Christos Dimas, si dhe përfaqësues të Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane për Investime (BEI).

Sipas njoftimit, Basha ka theksuar se Kosova ka projekte me rëndësi të veçantë për zhvillimin e rajonit dhe integrimin evropian, vizion të qartë për zhvillimin e infrastrukturës dhe partnerë të besueshëm për realizimin e tyre.

Ai po ashtu ka nënvizuar se mbështetja e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve zhvillimorë mbetet kyçe për avancimin e projekteve strategjike që forcojnë lidhshmërinë rajonale dhe integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të transportit.