Basha nga Prekazi: Është obligim i yni ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.
Basha u shoqërua në vizitë nga nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka theksuar rëndësinë e Prekazit si vend ku liria e Kosovës ka marrë kuptim: “Me përulësi dhe nderim të thellë, mëngjesin e sotëm, bashkë me nënkryetaren znj. Albulena Haxhiu, e filluam me homazhe në Prekazin e lavdisë mbarëkombëtare, vendin ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të Familjes Jashari. Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut.”, ka shkruar Basha.