75 Mall Live Search
22:44 / E Shtunë, 18 Dhjetor 2021 / OSH

Basha nga selia e PD-së: Nuk ka referendum shkarkimi

Lulzim Basha ka thënë se “nuk ka referendum shkarkimi” dhe u bëri thirrje demokratëve t’i bashkohen Partisë Demokratike, në konferencën për media të mbajtur pas largimit të Sali Berishës nga selia blu.

“Legjitimiteti dhe demokracia nuk janë thjesht numri i njerëzve që dikush arrin të mbledh me një moment të caktuar për një çështje. Është procesi. Legjitimiteti buron nga procesi. Sot Partia Demokratike ka pasur vetëm një aktivitet politik – Kuvendin Kombëtar të thirrur sipas Kushtetutës së saj”, tha Basha.

Ai shtoi se partia me vendimet që i mori sot në Kuvend hapi një kapitull të ri, shkruan Euronews Albania, transmeton Klankosova.tv.

“Sot Partia Demokratike është pastruar nga hijet e së shkuarës, është më pranë qytetarëve dhe problemeve të tyre. Për këtë aryse kemi jetësuar statutin tonë dhe jemi e para parti politike në Shqipëri dhe në Ballkan që jetësojmë aleancën me qytetarët për rikthimin e demokracisë me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza shumëplanëshe”, tha Basha.

Partia Demokratike me Lulzim Bashën në krye organizoi sot Kuvendin Kombëtar, ku u mor vendim për të larguar nga funksionet drejtuese në parti të gjithë personat e shpallur “non grata” apo që kanë pasur poste drejtuese gjatë regjimit komunist.

Rezoluta e miratuar më 12 dhjetor në Këshill dhe e aprovuar sot nga Kuvendi, e cilëson Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha si “të jashtëligjshëm”.

Sipas rezolutës vendimet janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD.

“Nuk ka referendum, ka vetëm disa anëtarë të PD të cilëve u bëj thirrje t’i bashkohen vendimeve të institucioneve”, ka thënë Basha duke bërë me dije se nuk e njeh referendumin e Berishës.

Në anën tjetër, sot dhjetëra mijëra anëtarë të Partisë Demokratike votuan në referendumin e organizuar nga ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, për të larguar nga Partia Demokratike kryetarin aktual Lulzim Basha.