15:00 / E Shtunë, 16 Mars 2019 / indeksADMonline

Basha: Protestë historike, Rama është kufomë politike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu drejtua protestuesve me një fjalë rasti përpara selisë së partisë së tij.

Ai tha se protestuesit e sotëm janë misionarë dhe viganë mbrojtës të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar se brezat e sotëm dhe ata që vijnë iu kanë borxh këtyre protestuesve që kanë dalë sot në rrugë për të mbrojtur vendin.

Basha tha se dhuna e policisë tregon për panikën që e ka përfshirë kryeministrin Rama.

“Sot, më në panik se kurrë, kufoma politike e Edi Ramës dhe klikës së tij kriminale përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve me të vetmin qëllim për t’i shpërndarë, trembur e larguar nga rruga e protestës”, deklaroi Basha.

Ai tha se nuk ka rrugë tjetër për të kthyer demokracinë në Shqipëri sesa protestat popullore.

“E gjitha bota e ka parë vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe demokraci, për vlera evropiane dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmerisë së Edi Ramës. Shqiptarët janë sot të bashkuar kundër një grup kriminelësh në pushtet”, vijoi kreu i PD-së.

Basha iu drejtua edhe ndërkombëtarëve, të cilët kanë qenë kundër protestave të opozitës, duke thënë se të dëgjojnë më shumë popullin dhe më pak autokratin e kriminuar dhe njeriun, që sipas tij, e zhyti Shqipërinë në drogë, Edi Ramën.

Ai iu drejtua në gjuhën angleze atyre duke thënë se nuk ka stabilitet pa demokraci, pa sundimin e ligjit dhe pa barazi.

Basha përsëriti kërkesën për rrëzimin e qeverisë dhe për zgjedhje të parakohshme duke thënë se protestat do të vazhdojnë në çdo qytet të Shqipërisë.

“Shqipëria e bashkuar ka për të fituar, fund qeverisë së hajdutëve dhe kriminalëve”, tha Basha. /Indeksonline/