75 Mall Live Search
11:20 / E Hënë, 23 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Basha uron LDK-në: Historia juaj është pjesë e krenarisë kombëtare

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka uruar 30-vjetorin e themelimit të LDK-së.

Basha tha se LDK-ja lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci.

Ai shtoi se historia e LDK-së është histori e krenarisë së Kosovës dhe pjesë e krenarisë kombëtare.

Me këtë rast, Basha kujtoi edhe udhëheqësin historik të kësaj partie, presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Mesazhi i urimit i kreut të PD

Sot në këtë 30 vjetor të themelimit, personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua nga zemra ti uroj mbarësi e suksese simotrës tonë Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesve dhe mbështetësve të saj.

LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci.

Në themel të njërës prej arritjeve më të mëdha të historisë së shqiptarëve, në themelet e Pavarësisë së Kosovës qëndron shpirti, djersa dhe gjaku i drejtuesve, mbështetësve dhe atyre që besuan te LDK. Historia e LDK është histori e krenarisë së Kosovës, është pjesë e krenarisë kombëtare.

Veçanërisht në këtë ditë, është çasti të kujtojmë me nderim themeluesin e LDK, udhëheqësin e shpirtit të Kosovës së pavarur Presidentin Ibrahim Rrugova, si shembull largpamësie, emancipimi, kurajo dhe qëndrese.

Drejtuesve të LDK bashkë me urimin, dua ti garantoj se te Partia Demokratike e Shqipërisë, do të gjejnë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe të zhvilluar.

Sfidat i kemi përpara por bashkimi i forcave, vizionit dhe vullneteve tona, do të bëjë të mundur ti përmbushim me sukses ato në shërbimin më të mirë të interesave tona kombëtare.

Gëzuar 30- vjetorin të dashur vëllezër dhe motra të LDK-së!

Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo ku janë!