20:33 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Bashkatdhetarë dhe qytetarë gjermanë ndihmojnë Institutin Special në Shtime

Bashkëpunimet e shtetit të Kosovës me shtetin mik, Gjermaninë, edhe më tej vazhdojnë të jenë të thella dhe të shtrira në shumë fusha.

Në frymën e këtyre raporteve miqësore, ekonomike e politike vazhdojnë të jenë edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë e veprojnë në Gjermani.

Kontributet e tyre para, gjatë dhe pas luftës vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme e shtetndërtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike e sociale të qytetarëve tanë.

Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe bashkatdhetari yni nga komuna e Lipjanit, Hetem Misini, i cili përfaqëson Partinë Politike CDU të zonjës Merkel dhe në bashkëpunim me Bernhard Serwuschok, përfaqësues i Shoqatës “Malteser” nga Gjermania, kanë sjellë donacion me vlerë të konsiderueshme për nevojat e rezidentëve të ISSH-së.

Këta përfaqësues i priti drejtori i këtij instituti, Xhemajl Dugolli, i cili i falënderoi për këtë donacion, i dyti nga këta zyrtarë. Donacioni përmban inventar, veshmbathje ushqim, mjete higjienike dhe pajisje tjera për persona me aftësi të kufizuara.

Donacioni është realizuar në bashkëpunim të Institutit Special Shtime dhe me mbështetje të shoqatës “Nëna Terezë”. Drejtori i këtij instituti, Dugolli njofton se  Misini dhe Serwuschok do t’u bëjnë vizita edhe disa institucioneve tjera në Kosovë dhe kanë shprehur gatishmërinë për një urë lidhëse mes Institucioneve të Kosovës dhe shtetit gjerman që të vazhdojnë me sjelljen e ndihmave qytetarëve tanë në Kosovë.

Instituti Special në Shtime funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe merret me trajtimin personave pa përkujdesje familjare (Personave me aftësi të kufizuara dhe retardime mendore).

ISSH është i themeluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe në të momentalisht trajtohen 63 persona.