11:29 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Bashkëluftëtari për policin Thaçi: Lamtumirë heroi im, dy betimet i mbajte!

Mbrëmë gjatë një aksioni antidrogë, si pasojë e një shpërthimi, vdiq polici kosovar, Sami Thaçi, ndërsa mbetën të lënduar edhe dy të tjerë, përfshirë edhe një fëmijë i moshës 9- vjeçare.

Kjo ngjarje ka prekur gjithë opinionin, derisa i dyshuari për këtë vepër kriminale, tashmë është në duar të policisë.

Një nga ish-bashkëluftëtarët e policit Thaçi dhe gjithashtu kushëri i të ndjerit, përmes një statusi të bërë në Facebook, shprehet të jetë i prekur nga kjo vdekje, ndërsa tregon se ai kishte bërë dy betime, një nën uniformën e UÇK-së, tjetrin si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ky është postimi emocionues i Faton Thaçit:

Lamtumirë Hero!

Lamtumirë bashkëluftëtari im!

Lamtumirë kushëriri im!

Dy betime në shërbim të Atdheut!

Betimi i parë pranë Flamurit Kombëtar në moshë të re në luftën e lavdishme të UÇK- së!

Betimi i dytë pranë institucionit të sigurisë – Policisë së Kosovës, në shërbim të sigurisë së shtetit dhe jetës së qytetarëve!

Të dy betimet i mbajte, i zbatove me përkushtim, nder, heroizëm dhe krenari kombëtare!

I dashur heroi ynë Sami Bajram Thaçi, ti dje më 28.01.2020 rreth orë 21:00 sy pa trembur si gjithherë flijove jetën për të mos vdekur kurrë, në krye të detyrës dhe në shërbim të sigurisë së shtetit e jetës së qytetarëve.

Ishe djalë bujar me virtyte të larta njerëzore, humane e kombëtare, i besës e i fjalës, në çdo kohë e moment i përgjigjeshe thirrjes së Atdheut.

Ne bashkëluftëtarët, kusherinjtë, fisi, fshati, komuna e shteti krenohemi me ty, me kontributin e veprat tua kombëtare.

Do mbetësh deri në vdekje në kujtimet tona vëlla i dashur Sami!

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës që aq shumë e deshte deri në flijim!

Lavdi veprës, kontributit e heroizmit tënd kombëtar!