75 Mall Live Search
21:32 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / Z S

Bashkëpunim rajonal dhe dialog Kosovë-Serbi në fokus të BE-së

Samiti BE-Ballkani Perëndimor ka miratuar Deklaratën e përbashkët nga shumica e partnerëve të rajonit, duke rikonfirmuar angazhimin për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratë theksohet se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një mundësi reale dhe strategjike për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në rajon.

Udhëheqësit e BE-së dhe të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për nevojën e intensifikimit të reformave, mbështetjen e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes, barazisë gjinore dhe rolin e shoqërisë civile.

Deklarata gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve, duke përmendur veçanërisht dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjet përkatëse.

BE-ja përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën dhe kërkon harmonizimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Në fushën ekonomike, u mirëprit përparimi në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së, përfshirë iniciativat dixhitale, SEPA dhe uljen e kostove të roaming-ut. Plani i Rritjes pritet të ofrojë deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime në rajon.

Po ashtu, deklarata thekson sfidat e përbashkëta në menaxhimin e emigracionit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ndërsa shumica e partnerëve të rajonit pajtuan me deklaratën, Serbia nuk e ka miratuar atë. Samiti i ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Mal të Zi në qershor 2026.

Deklarata e plotë

Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të shteteve anëtare të tij, në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, arritëm sot në konkluzionet e mëposhtme:

  1. Samiti i sotëm shërben si dëshmi e themeleve të forta të marrëdhënies sonë dhe përfitimeve që ajo sjell për qytetarët tanë. Agresioni rus kundër Ukrainës dhe sfidat gjeopolitike në rritje nxjerrin në pah nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti është rasti më i rëndësishëm i vitit për të rikonfirmuar partneritetin strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
  2. Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale, të cilën duhet ta shfrytëzojmë.
  3. Mirëpresim energjitë e reja dhe progresin e bërë që prej samitit të fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët.
  4. Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, siç thuhet në Deklaratën e Granadës. Urgjencat e kohës sonë kërkojnë një vrull të qëndrueshëm. Anëtarët aspirantë duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për reforma. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian duhet të intensifikojë punën në terren dhe reformat e tij të brendshme.
  5. BE-ja mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në mbështetjen e vlerave dhe parimeve evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke u dhënë prioritet parimeve të demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore, dhe shtetit të së drejtës. Pret që ata ta demonstrojnë këtë si me fjalë ashtu edhe me veprime, duke marrë përsipër dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushat kryesore. Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për funksionimin e demokracisë. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.
  6. Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët dhe për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin në rajon, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe problematikat rajonale dhe dypalëshe të partnerëve, të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, ku përfshihen Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës.
  7. Ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën, pasi ajo mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial kundër luftës së paprovokuar dhe të paligjshme të agresionit rus. Ne përsërisim mbështetjen tonë për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të investojmë në qasjen shumëpalëshe dhe të bashkëpunojmë me partnerët për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.
  8. Harmonizimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së, duke përfshirë futjen në fuqi dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së dhe parandalimin e anashkalimit të tyre, mbetet një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të një partneri. Ne përgëzojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që kanë arritur tashmë harmonizimin e plotë dhe u bëjmë thirrje atyre që nuk e kanë bërë ende këtë që të ecin në të njëjtat hapa.
  9. BE-ja mirëpret kontributet e partnerëve në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së. BE-ja vazhdon të mbështesë Ballkanin Perëndimor në trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimeve të tjera hibride, manipulimeve dhe ndërhyrjeve të huaja në informacion, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për të zhvilluar qëndrueshmëri, duke përfshirë Qendrën e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor dhe Mburojën Evropiane të Demokracisë.
  10. Ne mirëpresim partneritetet e para të sigurisë dhe mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe nisjen e dialogëve të sigurisë dhe mbrojtjes. Ne mbetemi të përkushtuar për mbështetje të vazhdueshme në kuadër të Instrumentit Evropian të Paqes.
  11. BE-ja vazhdon të jetë e përkushtuar në afrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në që në fazën e procesit të zgjerimit. Integrimi gradual, i realizuar në mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita, është në proces e sipër në disa fusha të politikave, duke sjellë përfitime paraprake konkrete për qytetarët dhe duke përgatitur terrenin për anëtarësim. Duhet të merren parasysh propozime të mëtejshme për integrimin gradual, në përputhje me harmonizimin përkatës me legjislacionin (acquis) e BE-së. Përparimet në drejtim të integrimit ekonomik duhet të ruajnë plotësisht integritetin e tregut të vetëm të BE-së dhe kushtet e barabarta.
  12. Ne mirëpresim progresin në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së, duke përfshirë:
  • Vënien në zbatim të nismave të Rrugës së Shpejtë të Tregut të Vetëm, zgjerimin e korsive të gjelbra midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe financimin e modernizimit dhe harmonizimit të kalimeve kufitare;
  • Aderimin e suksesshëm të disa partnerëve në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), me të tjerët në rrugën e duhur për t’u bashkuar, duke ulur ndjeshëm kostot e transaksioneve bankare;
  • Bashkimin në nismat dixhitale ose kopjimin e tyre, të tilla si Qendrat e Inovacionit Dixhital, WiFi4WB dhe Portofoli i Identitetit Dixhital të BE-së;
  • Reduktimin e kostove të roaming-ut për internet midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023, duke konfirmuar angazhimin dhe procesin e shtrirjes së zonës së BE-së “Roam like at Home” në Ballkanin Perëndimor, duke u lejuar qytetarëve të telefonojnë, dërgojnë mesazhe dhe përdorin internetin celular kudo në BE dhe rajon pa kosto shtesë.
  1. Plani i Rritjes do të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat e lidhura me BE-në. Plani ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme, duke siguruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime. Kjo vlerë i shtohet 29 miliardë eurove që po shpërndahen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje për shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit në kohë të reformave.
  2. BE-ja thekson se Tregu i Përbashkët Rajonal shërben si katalizator për integrim më të thellë dhe një hap drejt Tregut të Vetëm të BE-së. BE-ja u bën thirrje partnerëve të Ballkanit Perëndimor të angazhohen plotësisht në bashkëpunimin konstruktiv për ta bërë atë realitet dhe për të zbatuar marrëveshjet e lidhura.
  3. BE-ja mirëpret dhe do të vazhdojë të mbështesë forcimin e lidhjeve, duke përfshirë fushat e energjisë, transportit dhe dixhitalizimit, brenda rajonit dhe me BE-në. BE-ja mbështet përpjekjet për të diversifikuar burimet dhe rrugët e furnizimit me energji, duke rritur sigurinë energjetike dhe reduktuar varësitë. BE-ja do të vazhdojë të kontribuojë në tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor.
  4. Menaxhimi i emigracionit mbetet një sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët. Ndërsa është bërë përparim, partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të përafronin plotësisht politikën e tyre të vizave me BE-në, të luftojnë kontrabandimin e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe të forcojnë sistemet e menaxhimit të kufijve, azilit, pritjes dhe kthimeve në vendet e origjinës.
  5. Përpjekjet e përbashkëta duhet të vazhdojnë në luftën kundër korrupsionit, trafikimit të drogës dhe të gjitha formave të krimit të rëndë dhe të organizuar, si dhe në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në përputhje me Planin e ri të Përbashkët të Veprimit dhe Koalicionin Evropian kundër Drogës (ECAD).
  6. Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të vihen në zbatim, veçanërisht Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
  7. Theksohet rëndësia e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërsjella në komunikimin strategjik, duke përfshirë përfitimet nga zgjerimi dhe integrimi gradual, si dhe nevojën për ndërtimin e besimit, mirëkuptimit dhe konsensusit ndërshoqëror. Partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet të informojnë publikun e tyre se BE-ja mbetet partneri më i afërt i rajonit, si dhe donatori, investitori dhe partneri tregtar kryesor, duke demonstruar angazhimin e tyre ndaj vlerave të BE-së dhe reformave.
  8. Mbetemi në pritje të samitit të ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi në qershor 2026.
  9. Përshëndesim pajtimin e shumicës së partnerëve të Ballkanit Perëndimor me këtë deklaratë.

(Serbia nuk është pajtuar me këtë deklaratë.)./Indeksonline/