15:54 / E Enjte, 26 Mars 2020

Bashkësia Islame bën publik vendimin se si të pastrohen kufomat e të infektuarve me koronavirus

Bashkësia Islame e Kosovës ka nxjerrë një vendim lidhur me kufomat e trupave të personave të infektuar me COVID-19.

Pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 BIK ka njoftuar se me rastin e vdekjes së personit si pasojë e këtij infeksioni, nëse kufoma përgatitet në morgun e QKUK-së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit.

Në njoftimin publik të BIK-ut shtohet se me këtë rast xhenazja do të varroset e pastruar nga autoriteti fetar, ndërsa Namazi i xhenazes do t’i falet pas varrosjes, transmeton Indeksonline.

“Në rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus (konfirmuar nga IKSHPK-ja), nëse kufoma përgatitet, pastrohet dhe mbyllet hermetikisht në morgun e QKUK-së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit dhe xhenazja do të varroset pa u pastruar nga autoriteti fetar, ndërsa Namazi i xhenazes do t’i falet pas varrosjes, duke respektuar distancën e duhur sociale në raport Imam-Xhemat”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, me rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshohet se ka qenë i infektuar me koronavirus, “të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji nga sipër, pa e prekur me duar trupin e tij.

“Në rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshojmë apo frikësohemi se mund të ketë qenë i infektuar me koronavirus, xhenazja do të pastrohet në atë mënyrë që të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji sipër, pa e prekur me duar trupin e tij”, thuhet tutje në vendim.

Në rastet e tjera, Bashkësia Islame e Kosovës u bën thirrje imamëve dhe qytetarëve që t’i respektojnë udhëzimet e IKSHPK-së./Indeksonline/