Bashkim Ramosaj synon mandatin e tretë për kryetar të Deçanit, premton zhvillim të hovshëm e turizëm modern

Bashkim Ramosaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëjherit kryetari i Komunës së Deçanit, po synon që edhe për katër vjet e ardhshme të udhëheq me këtë komunë. Komunë kjo e cila ia dha besimin për dy mandate.
Gjatë mandatit të tretë Ramosaj ka vënë në strategjinë e tij një zhvillim të hovshëm, e një turizëm modern.
Ramosaj në një intervistë ka treguar çelësin e suksesit se si mund të marrësh besimin e qytetarëve.
“Unë jam në fund të mandatit të dytë si kryetar i Komunës së Deçanit, me qenë i suksesshëm duhet me qenë serioz në punë, me pasur përkushtim dhe ide të qarta. Duhet me përballë tema të cilat janë sfiduese për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe duhet me qenë i përkushtuar çdo ditë për të arritur objektivat. Kemi jap një pamje më të qartë që është shumë e rëndësishme për neve, më herët nuk është kuptuar se po hyjmë në një qytet, kemi bërë zgjidhje të duhura që çdokush që vjen në Deçan, ka përshtypje që po hyn në qytet që po shkon drejt zhvillimit të hovshëm”, potencoi ai.
Ai vuri në pah arritjet në infrastrukturë, përmirësimin e imazhit të qytetit dhe fokusin e veçantë në turizëm, përfshirë projektet për skitari dhe shërbime publike në zonat malore.
“Turizmi ka qenë një prej fokuseve tona, jo vetëm turizmi por ka qenë sektori më i rëndësishëm, kemi arritur shumicën e objektivave, por një pjesë ende nuk ka filluar por ne nuk heqim dorë nga këto synime sepse është zgjedhje e duhur për jetën e qytetarëve dhe për ekonominë familjare. Atë që kemi bërë gjatë mandatit të parë jemi munduar ta zbatojmë në mandatin e dytë. Do të ketë skitari dhe të gjithë aksesorët tjerë të shkojnë. Kemi me arritur me pasur ujësjellës në atë pjesë dhe shërbime publike, ajo çka ka lëvizur, kemi hapur rrugën deri në kufi me Malin e Zi që në afatin kohor do të asfaltohet. Kemi vazhduar të dërgojmë energjinë në atë drejtim”, deklaroi Ramosaj.
Ramosaj premton revolucion zhvillimor në dy vitet e ardhshme dhe thekson bashkëpunimin e ngushtë me institucionet qendrore për zgjidhjen e çështjeve juridike të pronave.
“Mund të garantoj që neve na ec mbarë dhe kemi mirëkuptimin prej institucioneve qendrore që sa më shpejt të kalohen këto prona në aspektin juridik, brenda dy viteve Deçani do të bëjë revolucionin e madh të zhvillimit të hovshëm, të harmonizuar dhe me standardet që i kërkon koha. Jemi në kohën për të bërë gjëra të qëndrueshme. Kam lindur dhe kam jetuar gjithmonë në këtë qytet, përgjatë gjithë jetës sime nuk e kam ofenduar askënd, jemi ndër familjet më të mëdha të komunës dhe nuk kemi bërë ndonjë skandal. Ajo çka është e rëndësishme që kam qenë tepër aktiv”, ka theksuar ai.