Bashkimi Evropian shtyn tarifat tregtare hakmarrëse kundër SHBA-së: Në fillim të gushtit…

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi se tarifat hakmarrëse të BE-së mbi eksportet amerikane janë shtyrë përsëri.
Kundërmasat, të cilat duhej të fillonin të martën, erdhën në përgjigje të taksave fillestare të importit të çelikut dhe aluminit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Hakmarrja e BE-së, e cila do të kishte arritur në 21 miliardë euro mallra amerikane, u pezullua për herë të parë në mars. Kjo ndërprerje është zgjatur deri në fillim të gushtit”, tha Von der Leyen në një konferencë për shtyp të dielën.
Ministrat e Tregtisë së BE-së pritet të takohen në Bruksel të hënën për të diskutuar.
Kjo vjen pasi Trump i shkroi një letër Von der Leyen, duke njoftuar planet e tij për të vendosur tarifa prej 30% mbi importet e BE-së nga 1 gushti.
Ai paralajmëroi se nëse partneri tregtar do të hakmerrej me tarifat e veta të importit kundër SHBA-së, ai do të kundërpërgjigjej duke rritur tarifat mbi 30%.
Në një intervistë të regjistruar paraprakisht me Fox News, e cila u transmetua të shtunën në mbrëmje, Trump tha se disa vende ishin “shumë të shqetësuara tani”, por ai këmbënguli se tarifat nënkuptonin “qindra miliarda dollarë” që po “rrjedhin”.
“Shtetet e Bashkuara na kanë dërguar një letër me masa që do të hyjnë në fuqi nëse nuk ka një zgjidhje të negociuar, kështu që ne do ta zgjasim pezullimin e kundërmasave tona deri në fillim të gushtit. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të përgatitemi për kundërmasat në mënyrë që të jemi plotësisht të përgatitur”, tha Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian këmbënguli se BE-ja “gjithmonë ka qenë shumë e qartë se ne preferojmë një zgjidhje të negociuar”.
“Kjo mbetet kështu dhe ne do ta përdorim kohën që kemi tani deri më 1 gusht”, shtoi ajo.
Ministrat e Tregtisë së BE-së do të takohen të hënën në Bruksel, për të diskutuar se sa të fortë duhet të jetë një linjë që duhet të ndjekim me Uashingtonin.
Ministri i financave të Gjermanisë, Lars Klingbeil, tha të dielën se “negociatat serioze dhe të orientuara drejt zgjidhjes” me SHBA-në ishin ende të nevojshme, por shtoi se nëse ato dështojnë, BE-së do t’i duhen “kundërmasa vendimtare për të mbrojtur vendet e punës dhe bizneset në Evropë”.
“Dora jonë mbetet e shtrirë, por ne nuk do të pranojmë asgjë”, tha Klingbeil për gazetën e përditshme Sueddeutsche Zeitung.
Komentet e tij erdhën pas presidentit francez Emmanuel të shtunën i kërkoi Komisionit Evropian – i cili negocion në emër të të gjitha vendeve të BE-së – të “mbrojë me vendosmëri interesat evropiane”.
Që nga e shtuna, administrata Trump ka propozuar kushte tarifore për 24 vende dhe BE-në, e cila përbëhet nga 27 vende.