22:16 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Bashkimi pëson humbjen e tretë në Ballkan Ligë

Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, Bashkimi është mposhtur edhe në ndeshjen e tretë në kuadër të Ligës Ballkanike.

Prizrenasit sot pësuan humbje nga skuadra e Academic Bultex, e cila përgjatë gjithë ndeshjes ishte në epërsi dhe takimin e mbylli me tore 65-105.

Në fakt, epërsia e mysarëve pas pjesës së parë nuk ishte aq e madhe, vetëm 5 pikë, mirëpo dilema sa i përket tuesit u mbyll në çerekun e tretë, çerek në të cilin dyshja e Academicut, Daishon Knight(ish-lojtar i Bashkimit) dhe Peter Olisemeka, zhvilloi lojë fenomenale, për ta shtuar edhe më tutje epërsinë e skuadrës dhe për ta mbyllur ndeshjen.

Për dallim nga Bashkimi, ku sonte pikë shënuan vetëm 6 lojtarë, te mysarët sonte të gjithë lojtarët e ftuar për këtë ndeshje shënuan të paktën 2 pikë.

Më i dalluari te Bashkimi sonte ishte Jordan Capps me 20 pikë, 16 kërcime e 1 asistim, kurse te Academicu Daishon Knight e Mladen Vitkovic shënuan nga 19 pikë, derisa shkëlqeu edhe Peter Olisameka me 16 pikë, 14 kërcime e 1 asistim.

Pas 3 ndeshjeve të luajtura në BIBL sivjet, Bashkimi ka 3 humbje, kurse Academic Bultex ka zhvilluar dy ndeshje dhe momentalisht ka një tore e një humbje.