18:51 / E Martë, 31 Janar 2023 / B O

Bashkimi pritet ta humbë me rezultat zyrtar ndeshjen e BIBL-it

Skuadra e Bashkimit pritet ta humbë me rezultat zyrtar ndeshjen kundër ekipit nga Mali i Zi, Milenijum Kodio në kuadër të Ligës së Ballkanike.

Dueli mes Milenijumit dhe Bashkimit është dashur të luhet të martën prej orës 17:00, por ekipi nga Prizreni nuk ka udhëtuar për shkak të problemeve shëndetësore të disa lojtarëve.

Në njoftimin e BIBL-it, thuhet se gjithçka ishte gati për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, por janë njoftuar nga Bashkimi se nuk mund të udhëtojnë si pasojë e gripit që tashmë ka kapluar disa prej lojtarëve.

BIBL ka thënë se nuk mund ta detyrojë asnjë ekip të udhëtojë dhe të luajë, por do të veprojë sipas rregulloreve të ligës dhe FIBA-s.

E kjo do të thotë se Bashkimi sipas të gjitha gjasave do ta humbë ndeshjen me rezultat zyrtar, por për vendimin final do të njoftohet të enjten nga BIBL-i.

Bashkimi këtë sezon po merr pjesë në BIBL dhe në pesë ndeshje të luajtura ka regjistruar po aq humbje.

Krahas Bashkimit, Kosova në këtë ligë përfaqësohet edhe nga Peja, skuadra këto që do të përballen mes veti javën tjetër në kuadër të xhiros së radhës.