Batatina: Do të marrim pjesë në takimin me FFK’në, do të kërkojmë mjetet që i ka dhënë UEFA dhe largimin e Agim Ademit!

Federata e Futbollit të Kosovës do të presë në takim klubet pas dy ditësh.Me datën 6 maj, FFK do të presë në takim ekipet – ku edhe do të diskutohet për mundësinë e vazhdimit të kampionatit vendor.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, ndërsa ka potencuar që nuk do të flitet vetëm për mundësinë e vazhdimit të Superligës, por edhe për çështje tjera të futbollit vendor dhe jo vetëm.
Ai thotë se do të diskutohet gjithashtu edhe për mjetet që UEFA i ka shpërndarë për FFK, gjithashtu edhe për largimin e kryetarit aktual, Agim Ademi – i cili është i denuar me burg efektiv.
“Do të marrim pjesë në takim. Aty do të diskutohet për vazhdimësinë e kampionatit si dhe për mjetet që UEFA i ka dhuruar për FFK. Do të kërkojmë që ato mjete të shpërndahen për klubet, gjithashtu do të diskutojmë edhe për raportin financiar”, tha fillimisht Batatina për GazetaBlic.
Më pas, ai tha se do të kërkohet edhe largimi i Ademit, pasi kryetari i FFK’së është denuar dhe nuk duhet të qëndrojë në detyrë.
“Gjithashtu do të kërkojmë edhe largimin e Agim Ademit, pasi ai është i dënuar me burg efektiv dhe po qëndron akoma në detyrë – duke na udhëhequr neve! Ai fillimisht ka thënë që po e pret vendimin nga Gjykata, ndërsa edhe gjykata e Apelit e ka shpallur fajtor. Një deputet u largua nga pozita e tij për shkak të shkeljeve që kishte bërë. Ademi është dashur të largohet. Në takimin me UEFA-n, Ceferin ka kërkuar që Ademi të zgjidh problemet që ka, këtë na ka thënë Eroll Salihu (sekretari gjeneral i FFK’së) në takimin që e kemi pasur”, përfundoi Batatina.