75 Mall Live Search
17:07 / E Martë, 10 Shkurt 2026 / Gj Sh

Batatina, pas fitores ndaj Dritës: Llapi ka një projekt serioz, synojmë Kupën e Kosovës

Skuadra e Llapit sot ka bërë një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni, duke e mposhtur Dritën në Kupën e Kosovës me rezultat 2-1 dhe ka kaluar në çerekfinale.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se është i lumtur me këtë fitore, e cila ka ardhur falë shpirtit luftarak të skuadrës dhe fazë përgatitore që kanë pasur së fundi në Antalya të Turqisë.

‘’E vlerësoj lart paraqitjen e skuadrës dhe shpirtin luftarak në fushë. Gjatë gjithë fazës përgatitore kemi qenë maksimalisht të fokusuar te Drita. Madje, disa lojtarë nuk i kam aktivizuar as në ndeshjen e parë të sezonit pranveror, duke marrë një rrezik të vetëdijshëm, pasi objektivi ynë ishte kalimi më tutje në Kupë.’’, ka deklaruar Batatina.

Llapi në vitet e fundit ka pasur sukses të vazhdueshëm në Kupën e Kosovës, ku ka fituar dy tituj dhe në sezonin e fundit pësoi humbje në finale nga Prishtina.

Batatina tha për IndeksOnline se edhe këtë vit objektivi kryesor është Kupa e Kosovës dhe shpreson që në fund të fitoj titullin.

‘’Objektivi ynë primar këtë kampionat është Kupa dhe do të punojmë shumë në këtë drejtim, në mënyrë që të jemi 100% të fokusuar për të. Besoj se kemi një skuadër të mirë dhe shumë homogjene, e cila mund t’i arrijë objektivat e klubit. Duke pasur parasysh se në një periudhë gjashtëvjeçare kemi qenë katër herë finalistë të Kupës, skuadra ka përvojën e duhur për ta arritur objektivin, për të qenë sërish në finale dhe për ta fituar trofeun në fund.’’, ka thënë trajneri Tahir Batatina.

Ai vazhdoi tutje duke thënë se Llapi ka një projekt serioz dhe me një menaxhim të mençur për të ardhmen e klubit.

‘’Objektivi kryesor i skuadrës është pa dyshim Kupa, si dhe renditja sa më e lartë në tabelë. Po ashtu, duke pasur një skuadër të re me moshë evropiane, për Llapin kjo do të jetë “qershia mbi tortë”, pasi mund të transferojmë së paku dy ose tre lojtarë jashtë, në klube të mëdha evropiane. Ky është projekti i Llapit, me një menaxhim të mençur dhe serioz për të ardhmen e klubit.’’, ka thënë Batatina për IndeksOnline.