Batatina: Respekt për të gjithë kundërshtarët, dua të luajmë me Prishtinën në finale

Për herë të parë pas 4 vitesh, Llapi ka siguruar pjesëmarrje në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi eliminoi Trepçën ’89 me rezultat 1-2.
Tre ekipet tjera që kanë siguruar biletën në gjysmëfinale janë Prishtina, Istogu dhe Dukagjini.
Trajneri Tahir Batatina ka respekt për të gjithë kundërshtarët por dëshiron që të shmang duelin me Prishtinën, për tu ballafaquar me ta në finale.
“Mendoj që 3 skuadrat që janë në gjysmëfinale janë cilësore, me cilën do që luajmë duhet të respektohen. E respektoj shumë Dukagjinin, është super skuadër. Istogu ka organizim të mirë, lojtarë nga jashtë. Për Prishtinën s’kemi çka të flasim e njohim të gjithë. Nuk kisha dashtë të ballafaqohemi me Prishtinën tash se dëshira ime është të luajmë me ta në një finale të zjarrtë” deklaroi Batatina për Indeksonline.
Kryetrajneri i Llapit mendon që ekipi i tij ka kapacitet që të mposht çdo skuadër dhe të triumfojë në Kupë.
“Nuk e kam hup asnjëherë besimin që mund të dalim në Evropë. E di që në kampionat ka qenë punë e vështirë sepse kemi sjellur lojtarë shumë cilësorë, dhe ka qenë pak e vështirë të komponohet skuadra. Unë mendoj që është edhe në interes të Kosovës që Llapi të kualifikohet në garat ndërkombëtare sepse mund të kishim 3 skuadra shumë të forta në Evropë. Ne nuk kemi presion, nuk e kërkojmë me doemos suksesin por mendoj që kemi kapacitet ta fitojmë Kupën” përfundoi Batatina.
/Indeksonline/