75 Mall Live Search
11:15 / E Shtunë, 13 Dhjetor 2025 / L A

Bayerni blen një stadium për 7.5 milionë euro, mësohet se për çka do ta përdorë

“Kicker” raporton se Bayern Munich ka mbyllur një marrëveshje prej 7.5 milionë eurosh për të blerë stadiumin “Sportpark” të SpVgg Unterhaching.

Klubi i Bundesligës synon ta blejë këtë impiant me kapacitet 15 mijë vende, për ta shndërruar në shtëpinë e ardhshme të ekipit të femrave të Bayernit.

Ndërkohë, “Münchener Merkur” raporton se marrëveshja u finalizua me dyer të mbyllura të mërkurën në mbrëmje, pasi u sqarua e ardhmja e disa tribunave të stadiumit.

Unterhaching aktualisht garon në nivelin e katërt, Regionalliga Bayern, pasi ra nga 3. Liga sezonin e kaluar.

Klubi nga periferia e Mynihut dikur ishte pjesë e Bundesligës për dy sezone në fillim të viteve 2000, por nuk është rikthyer më në elitë që nga rënia në sezonin 2000/01.

Megjithatë, Bayerni ka ruajtur gjithmonë lidhje profesionale me fqinjët e tij periferikë, duke investuar te klubi si financiarisht ashtu edhe përmes marrëveshjeve për zhvillimin e lojtarëve.

Ekipi i femrave i Bayernit aktualisht luan ndeshjet në FC Bayern Campus në “Säbener Straße”, por ky impiant, që ka kapacitet vetëm 2,400 spektatorë, është konsideruar plotësisht i pamjaftueshëm për të pritur ndeshje të Kupës së Gjermanisë për femra (DFB Pokal) dhe të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, ekipi i femrave i Bayernit ndonjëherë luan edhe në “Allianz Arena”, ku së fundmi mblodhi mbi 15 mijë spektatorë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve për femra kundër Arsenalit në mesin e nëntorit.