17:24 / E Premte, 01 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Bayerni përgatit goditjen e madhe në janar, ka gati 60 milion funte

Bayern Munchen nuk heq dorë nga Joao Palhinha. Drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë po presin merkaton dimërore për të nisur sulmin e radhës për “shkatërruesin” portugez.

28-vjeçari nga Lisbona është pjesë e Fulhamit në Premier League, aty ku u transferua për 21 mln euro nga Sportingu gjatë verës së vitit të kaluar.

Deri në fazë të sezonit, mesfushori luzitan – autor i 23 ndeshjeve dhe 2 golave me kombëtaren portugeze – ka shënuar 2 gola në kampionat me Fulhamin.

Shtypi sportiv britanik shkruan se drejtuesit e klubit bavarez po përgatitin një ofertë zyrtare për homologët e Fulhamit.

Këta të fundit kërkojnë rreth 60 mln paund për të lejuar kalimin e Palhinhas në Bundesliga në mesin e sezonit.

Trajneri Tuchel pret përforcime dhe portugezi është një ndër të preferuarit e tij në rolin e mesfushorit me tipare mbrojtëse.