10:23 / E Diele, 01 Tetor 2023 / Gj. Sh

Bayerni synon ta rikthej në skuadër rekordmenin e trofeve

Drejtuesit e Bayern Munchen po mendojnë një rikthim të bujshëm. Flasim për Jerome Boateng, i cili qëndron pa skuadër që prej datës 1 korrik, kur i dha fund aventurës franceze me Lyonin.

Qendërmbrojtësi kaloi 10 sezone te bavarezët (2011-2021), duke fituar plot 22 trofe me rekordmenët e futbollit gjerman. 35-vjeçari regjistroi 363 ndeshje, shënoi 10 gola dhe dhuroi 25 asiste gjatë aventurës me Bayernin.

Thomas Tuchel e do pjesë të skuadrës, dhe Boateng është gati të rikthehet. Ish-lojtari i kombëtares gjermane – Kampion Bote në 2014 – është stërvitur fort gjatë kësaj periudhe dhe gëzon një formë të mirë fizike.

Trajneri beson te eksperienca e tij e madhe. Drejtuesit e Bayernit kanë nisur bisedimet me agjentin e lojtarit dhe së shpejti pritet të zyrtarizohet rikthimi i mbrojtësit në Mynih.

Kampionët e Gjermanisë kanë shfaqur probleme në prapavijë në këtë fillim sezoni. Bayerni pësoi 3 gola në Superkupën e Gjermanisë nga Leipzigu dhe po kaq nga Manchester United në takimin e parë të fazës së grupeve në Champions.

Ndërkohë, në gjashtë sfidat e para të edicionit të ri në Bundesliga, skuadra e Tuchel është ndëshkuar në gjashtë raste. Problem që trajneri shpreson ta zgjidhë edhe falë ndihmës së Boateng.