75 Mall Live Search
16:51 / E Diele, 03 Mars 2019 / indeksADMonline

BDI mbështet kandidaturën e Pendarovski për president të Maqedonisë Veriore

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e sotme në Tetovë ka diskutuar mbi zgjedhjet presidenciale dhe ato lokale, themelimin e shtabit qendror zgjedhor, ecurinë e procesit të regjistrimit të anëtarësisë të kësaj partie.

Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së njëzëri solli vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe ato lokale në Dibër dhe Ohër.

Kryetari i BDI-ë, Ali Ahmeti, propozoi që shtabin qendror zgjedhor ta themelojë nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, ndërsa Këshilli i përgjithshëm njëzëri mbështeti edhe këtë vendim.

Ahmeti elaboroi mbi konceptin e konsensualitetit të cilin BDI e ka promovuar qysh në vitin 2014 me ç’rast theksoi që bartësit e legjitimitetit zgjedhor të të dy komuniteteve shumicë, në këtë rast BDI dhe LSDM, bashkë edhe me përfaqësuesit e komuniteteve tjera, dakordohen mbi një kandidat të përbashkët për president të vendit.

Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së unanimisht mbështeti konceptin e kandidatit të përbashkët konsensual dhe kandidaturën e Stevo Pendarovski për president të Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu, Këshilli vendosi që Kuvendi i Forumit të Gruas të BDI të mbahet më 14 prill në Shkup, ndërsa Kuvendi i Forumit Rinor i BDI të mbahet në Tetovë.

Procesi i regjistrimit të anëtarësisë do të fillojë menjëherë dhe do të zgjasë gjatë muajit mars. Njëkohësisht, u konfirmuan dy grupe punuese për propozim ndryshimet statutare dhe për platformën politike të BDI pas rrumbullakimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit.