16:33 / E Mërkurë, 08 Maj 2019 / indeksADMonline

BE, 60 për qind e automjeteve të reja përdorin benzinën

Rreth 60 për qind e të gjitha automjeteve të reja për pasagjerë të regjistruara në Bashkimin Evropian në tremujorin e parë përdorin benzinën, përderisa më pak se një e treta furnizohen me naftë, tregojnë të dhënat e Asociacionit të Prodhuesve Evropian të Automjeteve (ACEA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Të gjitha automjetet që përdorin burime alternative përbëjnë rreth 8,5 për qind të tregut të BE-së, thonë nga ACEA, ndërsa automjetet elektrike (ECV) llogariten në 2,5 për qind nga totali i automjeteve të shitura në rajon gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

“Me përjashtim të Gjermanisë, kërkesa për automjete me benzinë është rritur në pesë tregjet më të mëdha të automjeteve në BE, me Italinë që përbën rritjen më të madhe procentuale (+21,6 për qind). Si rezultat i kësaj, pjesa e tregut të benzinës u rrit nga 55,5 për qind në 59,3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2019”, sqarojnë nga Asociacioni.

Regjistrimi i automjeteve me naftë u zvogëlua në shumicën e vendeve anëtare të BE-së me përjashtim të Gjermanisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Pjesa e automjeteve me naftë në treg shënoi rënie me pothuajse 6 pikë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe tani përbën 32,2 për qind të tregut.

Regjistrimi i automjeteve elektrike rritet për 40 për qind

Në ndërkohë, të dhënat nga ACEA thonë se në tremujorin e parë të vitit 2019, në BE është rritur kërkesa për automjete që përdorin burime alternative për 25,9 për qind.

“Rritja u nxit nga segmenti i automjeteve elektrike, që u rrit për 40 për qind me 99.174 njësi të regjistruara. Brenda këtij segmenti, shitja e automjeteve elektrike me bateri (BEV) u rrit ndjeshëm (+84,4 për qind), ndërsa regjistrimi i automjeteve me mbushje hibride praktikisht mbeti i njëjtë”, thuhet në kumtesë.

Nga Asociacioni shtuan se automjetet elektrike hibride gjithashtu shënuan rezultate të mira (+33,3 për qind), me gjithsej 184.808 njësi të shitura në tre muajt e parë të vitit.

Për kontrast, regjistrimi i automjeteve që përdorin gazin e lëngshëm të naftës (LPG) dhe gazin natyror (NGV) ka shënuar rënie për 7,2 për qind në tremujorin e parë, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të kërkesës për automjete në këtë segment.

“Regjistrimi i automjeteve që përdorin burime alternative është rritur ndjeshëm në të gjitha tregjet e mëdha të BE-së. Kërkesa për automjete me burime alternative shënoi fitimet më të larta në përqindje në Gjermani (+62,9 për qind), kryesisht shkaku i dyfishimit të shitjes në segmentin e hibridëve si dhe në Spanjë (+48,9 për qind)”, thonë të dhënat nga ACEA.

ACEA përfaqëson 15 prodhuesit e mëdhenj evropianë të automjeteve, furgonëve, kamionëve dhe autobusëve, ku përfshihen BMW Group, CNH Industrial, DAF Trucks, Daimler, Fiat Chrysler Automobiles, Ford of Europe, Honda Motor Europe, Hyundai Motor Europe, Jaguar Land Rover, PSA Group, Renault Group, Toyota Motor Europe, Volkswagen Group, Volvo Cars dhe Volvo Group. /IndeksOnline/