75 Mall Live Search
22:28 / E Enjte, 29 Prill 2021 / Blerim

BE akuzon Rusinë dhe Kinën për dezinformim

Kina dhe Rusia kanë nisur fushata për të prishur besimin në strategjinë e Bashkimit Evropian për luftimin e virusit korona si dhe për të shtuar skepticizmin ndaj vaksinave të virusit korona të zhvilluara në Perëndim, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) në një raport mbi dezinformimin në lidhje me pandeminë COVID-19 të botuar të mërkurën.

Sipas raportit, përpjekjet për “dezinformim të sponsorizuara nga shtetet” janë intensifikuar që nga fillimi i 2021, kur në të gjithë botën filloi shpërndarja e vaksinave me ritëm të përshpejtuar, shkruan DW.

Fushata promocionale të paqarta

Ndërsa Kina dhe Rusia kanë rritur përpjekjet për të reklamuar vaksinat e tyre të prodhuara nga shteti, ato i kanë përdorur fushatat për promovimin e tyre për të “minuar besimin” në vaksinat perëndimore dhe institucionet e BE. Për të arritur këto qëllime të dyja vendet “po përdorin mediat e kontrolluara nga shteti, mediat sociale, përfshirë dhe faqe zyrtare”, thuhet në raport.

Në Rusi, mediat shtetërore po përpiqen të “hedhin dyshime” ndaj Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe e duke akuzuar atë për vonimin e miratimit të vaksinës ruse Sputnik V.

Një agjenci e pavarur ruse, që është përgjegjëse për marketingun e Sputnik V, deklaroi në një mesazh në Twitter se kundër Rusisë dhe vaksinës së saj po bëhet një fushatë dezinformimi duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë t’i kundërvihemi fushatës së dezinformimit kundër Sputnik V në interes të mbrojtjes së jetëve në të gjithë botën dhe shmangies së monopolit të vaksinave, që po përpiqen të sigurojnë disa prodhues vaksinash”/

Kina nga ana tjetër propagandon “histori mashtruese” rreth origjinës së virusit korona si dhe sigurisë së disa vaksinave perëndimore.

Mbjellje pakënaqësie

Në raportin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së shprehet shqetësime se rritja e rasteve të koronavirusit në BE dhe shpërndarja e ngadaltë e vaksinave, po përdoren nga Rusia dhe Kina si shembuj për dështimin e demokracisë dhe të shoqërive të hapura.

Kina dhe Rusia po përpiqen të ushtrojnë ndikim sidomos në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e botuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS).

Megjithëse BE është kritikuar për një shpërndarje të vaksinave më ngadalë se sa pritej, BE thotë se pas shtimit të kapaciteteve prodhuese këtë verë pritet të jenë vaksinuar 70% e të rriturve.

Hungaria u nda nga pjesa tjetër e BE-së dhe po përdor vaksinat nga Rusia dhe Kina.

Në mars Agjencia Evropiane e Barnave EMA filloi shqyrtimin e Sputnik V. Nëse EMA do të japë dritën e gjelbër Sputnik V do të jetë vaksina e parë e koronavirusit e prodhuar në një vend jo-perëndimor që mund të përdoret në BE./DW/