20:04 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

BE heton EULEX-in në disa pista

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) është nën hetime nga një komision i formuar në Bruksel. Deri të ky veprim ka ardhur pas akuzave publike që janë bërë nga ish-zyrtar të EULEX-it kundër këtij misioni për mos luftim të korrupsionit.

Indeksonline ka kontaktuar direkt në Zyrën për Media në EULEX të cilët kanë konfirmuar se tashmë janë duke u zhvilluar hetimet lidhur me gjithë këtë proces.

“BE-ja dhe EULEX-i veprojnë me zero tolerancë ndaj politikës dhe keqbërjeve të papërshtatshme dhe të gjithë anëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre”, është thënë nga Zyra për Informim.

Gjithashtu EULEX është pyetur edhe për hetimet në drejtim të ish-gjyqtari Malcom Simmons, duke theksuar se ai gjatë vitit të kaluar ka qenë subjekt i një sërë hetimesh të pavarura, të kryera në Bruksel, me akuza serioze në drejtim të tij.

“Këto hetime po zhvillohen nga një ekip, i formuar dhe i bazuar në Bruksel dhe i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimit dhe disa kanë shkuar në një Bord Disiplinor dhe tani janë duke pritur vendimin e Bordit. Pjesa tjetër janë në vazhdim”, vazhdohet tutje në këtë përgjigje.

Gjithashtu është bërë e ditur se misioni i EULEX-it nuk mund të flasë lidhur me atë se sa njerëz të tjerë janë nën hetim e sipër.

“Misioni i EULEX-it nuk mund të japë koment të mëtejshëm mbi hetimet në vazhdim”, vazhdohet në përgjigjen e Zyrës për media.

Sipas tyre të gjitha akuzat e shprehura kohët e fundit nga Simmons janë trajtuar në mënyrë të barabartë dhe kanë rezultuar në një hetim të vazhdueshëm që po zhvillohet në të njëjtën mënyrë si ato kundër tij.

“Të gjitha akuzat e shprehura kohët e fundit nga z. Simmons janë trajtuar në mënyrë të barabartë seriozisht dhe gjithashtu kanë rezultuar në një hetim të vazhdueshëm që po zhvillohet në të njëjtën mënyrë si ato kundër tij. Në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinën për Misionet Civile të PZhS i miratuar nga Këshilli në korrik 2016. Z. Simmons u kërkua që të japë të gjitha provat në posedim të tij për të mbështetur pretendimet e tij, por – fatkeqësisht – nuk e ka bërë ende këtë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e EULEX-it.

Duhet përkujtuar që misioni i EULEX-it, është vendosur në Kosovë që prej vitit 2008, kur Kosova edhe shpalli pavarësinë e saj.

Misioni është vendosur nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar në zbatimin e sundimit të rendit dhe ligjit./Indeksonline/