BE-ja dhe shtetet anëtare të BE-së -Team Europe – promovojnë mundësitë për arsimim në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës
Një javë pas nisjes së Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (PISU), oborri i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u mbush me studentë, akademikë, përfaqësues të Team Europe dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Të mbështetur nga BE-ja në Kosovë, ata u mblodhën në një mbrëmje kushtuar shkëmbimit kulturor dhe informimit për mundësitë e studimit dhe të mobilitetit që ofrohen nga programet e BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së.
Në një atmosferë më të relaksuar, pjesëmarrësit u takuan gjithashtu me përfitues të programit Erasmus+ dhe të bursave të tjera të BE-së, me të cilët shkëmbyen pikëpamje dhe informacione rreth mundësive për studim dhe mësim.
Edicioni i 26-të i PISU, që po mbahet nga 6 deri më 17 korrik, ka bërë bashkë rreth 300 studentë nga Kosova, rajoni, BE-ja dhe pjesë të tjera të botës. Gjatë programit dyjavor, studentët kanë mundësi të ndjekin kurse në fusha të ndryshme, të ligjëruara nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Pjesëmarrësit u përshëndetën nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu.
Në emër të BE-së në Kosovë, Laura Fallavollita, udhëheqëse e ekipit për Qeverisje qeverisje të Mirë mirë dhe Kapital kapital Njerëzornjerëzor, tha se BE-ja, si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe e përkushtuar ndaj të rinjve të saj, do të vazhdojë të mbështesë modernizimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe të ofrojë programe mobiliteti që forcojnë më tej lidhjet mes BE-së dhe Kosovës.
“Erasmus+ është një nga programet që të gjithë e njohim, por krahas Erasmus+, kemi edhe Horizon Europe dhe shumë programe të tjera shkëmbimi që ofrojnë mundësi për shkëmbime ndërkombëtare, jo vetëm që të rinjtë nga Kosova të shkojnë e të studiojnë në vendet evropiane, por edhe që ta bëjnë vendin e tyre të njohur për partnerët evropianë,” tha Fallavollita.
Ajo foli edhe për programin Young Cell Scheme, duke e cilësuar atë si më shumë sesa një program bursash. Përveçse ofron mundësi për studime master në vendet e BE-së, kjo skemë u mundëson pjesëmarrësve të kthehen dhe të kontribuojnë në administratën publike të Kosovës me njohuri dhe përvojë të re.
Ngjarja përfshiu edhe një program kulturor. Nën tingujt e Orkestrës orkestrës së udhëhequr nga Dukagjin Muhaxheri, pjesëmarrësit kaluan kohë së bashku në një atmosferë që pasqyroi larmishmërinë e vetë Universitetit Veror dhe karakterin e tij ndërkombëtar.
Ngjarja u organizua si pjesë e bashkëpunimit mes PISU-së dhe BE-së në Kosovë, i cili përfshin diskutime publike, masterklasa me ekspertë dhe aktivitete të tjera që lidhen me rininë, arsimin, përfshirjen dhe integrimin evropian të Kosovës.
Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe mbështetësi më i madh financiar, me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë arsimin, rininë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në Kosovë.


