75 Mall Live Search
22:30 / E Diele, 07 Shtator 2025 / MSH

BE-ja gjobitë Google, kjo është arsyeja

Autoritetet rregullatore europiane vendosën të premten një gjobë prej 2.95 miliardë eurosh (rreth 3.5 miliardë dollarë) ndaj Google, duke e akuzuar kompaninë për shkelje të rregullave të konkurrencës së Bashkimit Europian.

Sipas Komisionit Europian, Google ka favorizuar shërbimet e veta të reklamimit dixhital në dëm të konkurrentëve të saj.

Kjo është hera e katërt që Google gjobitet për praktika të tilla, megjithatë Komisioni Europian ka hequr dorë nga kërcënimet e mëparshme për ndarjen e këtij gjiganti teknologjik.

Përveç gjobës, Komisioni urdhëroi Google të ndërpresë praktikat e “vetë-preferencimit” dhe të marrë masa për të eliminuar konfliktet e interesit në zinxhirin e furnizimit të teknologjisë së reklamimit (adtech).

Google e quajti vendimin “të gabuar” dhe njoftoi se do ta apelojë.

“Ky është një gjobë e padrejtë që do të dëmtojë mijëra biznese europiane, duke i bërë më të vështirë të gjenerojnë të ardhura,” tha Li-An Malahant, drejtuese e çështjeve rregullatore në Google.

Kronologjia e gjobave të BE ndaj Google:

2017 – Google Shopping:
Gjobë 2.42 miliardë euro për abuzim me pozicionin dominues në motorin e kërkimit, duke favorizuar shërbimin e vet të krahasimit të çmimeve.

2018 – Android:
Gjobë rekord prej 4.34 miliardë eurosh për imponim kushtesh të paligjshme ndaj prodhuesve të telefonave, që pengonin konkurrencën.

2019 – AdSense:
Gjobë 1.49 miliardë euro për kufizime në kontratat e reklamimit që pengonin faqet të shfaqnin reklama nga konkurrentë.

2025 – AdTech:
Gjobë 2.95 miliardë euro për vetë-preferencim në shërbimet e reklamimit dixhital dhe konflikte interesi në zinxhirin e teknologjisë së reklamës. Komisioni kërkon ndërprerjen e këtyre praktikave dhe nuk përjashton masa strukturore në të ardhmen.