75 Mall Live Search
20:16 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

BE-ja ndanë 50 milionë euro ndihmë për Kosovën

Komisioni Evropian, në emër të Bashkimi Evropian, ka ekzekutuar 50 milionë euro të programit të Asistencës Makro-Financiare (AMF) për Kosovën, thuhet në një njoftim të zyrës së BE-së në Kosovë.

“Asistenca Makro-Financiare (AMF) është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me vendet fqinje dhe ato të zgjerimit, dhe qëllimi i saj është të përdoret si instrument i jashtëzakonshëm i BE-së për reagimin ndaj krizave”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Fondet do të jenë në dispozicion në formën të kredive afatgjata me kushte shumë të favorshme.

“Fondet e AMF-së do të kontribuojnë për rritjen e stabilitetit makroekonomik dhe për krijimin e hapësirës për alokimin e burimeve për zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit”, thuhet ndër të tjera.

Më 30 korrik 2020, në emër të BE-së Komisioni ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi  me Kosovën, i cili vlen deri në 100 milionë euro dhe është i ndarë në dy këste të barabarta prej 50 milionë eurosh.

“Për marrjen e këstit të dytë të ndihmës, në Memorandumin e Mirëkuptimit u dakorduan nëntë kushte politike, d.m.th. masat duhet të adresojnë financat publike dhe stabilitetin financiar, papunësinë e të rinjve, si dhe qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Përmbushja e veprimeve të politikave do të vlerësohet para disbursimit të këstit të dytë që mund të paguhet në gjysmën e parë të vitit 2021, varësisht nga shpejtësia me të cilin Kosova i zbaton masat e dakorduara të politikave”, thekson njoftimi i Zyrës së BE-së në Kosovë.