75 Mall Live Search
14:34 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / SH

BE-ja vendos tarifë prej tre eurosh për pakot e vogla nga Kina

Ministrat evropianë të Financave arritën një marrëveshje të përkohshme të premten për të futur një tarifë fikse prej tre eurosh për paketat e vogla që do të zbatohet nga 1 korriku 2026 dhe do të godasë më rëndë shitësit kinezë online.

Këto janë pako me vlerë më pak se 150 euro, të cilat përbëjnë 93 për qind të tregtisë elektronike në BE. Sipas Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, 12 milionë pako të vogla me rroba, kozmetikë dhe lodra të porositura nga Kina përmes dyqaneve online Shein dhe Temu hyjnë në Evropë çdo ditë.

Zyrtarët thonë se pragu prej 150 eurosh i disavantazhon tregtarët evropianë dhe përbën një rrezik për shëndetin dhe sigurinë.

Shein dhe Temu shesin mallra përmes aplikacionit të tyre nga prodhues, kostot e të cilëve janë më të ulëta, ndër të tjera sepse nuk u duhet të kryejnë testimet që bëjnë prodhuesit në BE, as të riciklojnë mallrat e kthyera, siç ndodh në Evropë.

Ministrat e Financave ranë dakord në nëntor të heqin dorë nga rregulli që lejon mallrat me vlerë më pak se 150 euro të hyjnë në BE pa paguar detyrime doganore. Vendimi do të hyjë në fuqi sapo të ngrihet Qendra e të Dhënave Doganore të BE-së, një platformë qendrore për bashkëveprimin me doganat dhe forcimin e kontrolleve, gjë që pritet të ndodhë në vitin 2028./Indeksonline/