75 Mall Live Search
16:40 / E Hënë, 19 Shkurt 2024 / Z S

BE-ja zotohet se do ta mbajë Putinin përgjegjës për vdekjen e Navalnyt

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi në Bruksel me të venë e tij, Yulia Navalnaya.

Vdekja e Navalnyt në një burg të Arktikut, javën e kaluar, e tronditi opozitën në mërgim të Rusisë, e cila, ashtu sikurse Perëndimi, drejtoi gishtin e fajit nga Kremlini.

“Ne i shprehëm ngushëllimet më të thella të BE-së Yulia Navalnayas. Vladimir Putin dhe regjimi i tij do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Alexei Navalnyt”, shkroi Borrell në platformën X.

BE-ja ka vendosur tashmë sanksione ndaj Moskës, përfshirë Putinin, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, Borrell tha se pret që shtetet anëtare të BE-së të propozojnë sanksione të reja ndaj atyre që janë drejtpërdrejt përgjegjës për trajtimin e Navalnyt, përfshirë sistemin e burgjeve të Rusisë.

Ai, po ashtu, tha se Brukseli do ta riemërtojë listën e zezë të sanksioneve globale për të drejtat e njeriut sipas Navalnyt.

Kremlini mohoi se ka gisht në vdekjen e Navalnyt.