BE-ja kërkon nga Kosova ratifikimin e marrëveshjes për përfitimin e fondeve

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për të përfituar nga mundësitë që ofron Plani i Rritjes për rajonin, sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian.
Deklarata u bë publike pas takimit që komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, zhvilloi me liderët rajonalë të martën në Shkup.
“Sipas një viti të përparimit në reforma dhe bashkëpunimi të ngushtë në fusha si financat, transporti, lidhja digjitale dhe integrimi i tregut, komisionerja Marta Kos dhe liderët bënë një vlerësim të progresit të arritur deri më tani. Ata po ashtu riafirmuan vendosmërinë për të zhvilluar takime të rregullta në mënyrë që të ruajnë vrullin politik për zbatimin e Planit,” thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian, ku theksohet se takimi i radhës planifikohet të mbahet në vjeshtë.
Sa i përket 600 reformave të kërkuara për të përfituar 6 miliardë euro në mbështetje financiare nga BE-ja, deri tani katër shtete (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) kanë përfituar mjetet e parafinancimit.
Për Kosovën, e cila ende nuk i ka marrë këto fonde, Komisioni Evropian ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshjes për Hua. Kjo përfshin konstituimin e Kuvendit, që do t’i hapte rrugën Kosovës për të përfituar rreth 60 milionë euro.