BE-ja kërkon formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, thonë se pati zgjedhje të qeta
Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Johannes Hahn, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kanë reaguar lidhur me procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura të dielën në Kosovë.
Hahni e Mogherini i kanë cilësuar zgjedhjet si të qeta, nga ku edhe kanë bërë thirrje që sa më shpejtë të formohet qeveria e re.
“Zgjedhje të qeta u zhvilluan më 6 tetor në Kosovë. BE-ja kërkon formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, në momentin që përfundojnë të gjitha procedurat ligjore. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në reformat ekonomike dhe sociale, sundimit të ligjit si dhe dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Hahni e Mogherini presin nga aktorët politikë, që të mbesin të përkushtuar në këto procese, të cilat sipas tyre janë parësore për progresin e Kosovës në rrugën evropiane.
Hahni dhe Mogherini theksojnë rëndësinë e misionit të BE-së në Kosovë gjatë këtyre zgjedhjeve.
“Sipas misionit të BE-së, zgjedhjet ishin mirë të administruara dhe transparente. Fushata ishte sfiduese në Kosovë, mirëpo ishin të theksuara disa parregullsi në vendet e banuara me serbët”, thuhet në komunikatë.
Mogherini dhe Hahni kanë bërë të ditur se BE-ja do të formulojë raport me rekomandime për zgjedhjet që do të mbahen në të ardhmen në Kosovë.
BE-ja, sipas komunikatës së lëshuar është e gatshme të ndihmojë në këtë proces.