16:59 / E Mërkurë, 13 Tetor 2021 / AR

BE me pako kundër rritjes së çmimeve të derivateve

Komisioni Evropian ka krijuar një pako lehtësimi për krizën që është shkaktuar nga çmimet e gazit dhe derivateve në përgjithësi, raporton BBC.

Në takimin e mbajtur është propozuar që të hiqen taksat e derivateve dhe të bëhet blerja e përbashkët e tyre nga shtetet anëtare të BE-së.

Kjo është parë më se e domosdoshme nga ngritja drastike e çmimeve të derivateve, sidomos gjatë pandemisë, transmeton IndeksOnline.

Gjatë ditës së sotme, shefja e Komisionit Evropian për energji, Kadri Simson, ka bërë të ditur se BE ka shpalosur një plan për çmimin e derivateve dhe energjisë.

Ajo theksoi se të gjitha shtetet tashmë janë pajtuar që të lehtësohet barra e çmimeve të rënda, sidomos me afrimin e stinës së dimrit dhe nevojës për energji dhe ngrohje.

Rritja globale e çmimeve të energjisë është një shqetësim serioz për BE-në. Ndërsa dalim nga pandemia dhe fillojmë rimëkëmbjen tonë ekonomike, është e rëndësishme të mbrojmë konsumatorët dhe të mbështesim kompanitë evropiane“, ka thënë Simson.

Ajo ka shtuar se shtetet anëtare janë të lira të blejnë kolektivisht gazin, për të formuar një rezervë gazi për të gjithë.

Madje, gjatë takimit, është bërë e ditur se shtetet e BE-së mund të përdorin fondet e rimëkëmbjes nga COVID-19, të ndara nga BE, për të blerë derivate dhe për të dalur nga kjo krizë.

Ngritja e çmimeve të gazit është bërë për disa arsye, përfshirë pandeminë, pamundësisë së furnizimit dhe qarkullimit te tregut, mosfunksionimit të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, e kështu me radhë./Indeksonline/