75 Mall Live Search
19:20 / E Premte, 11 Mars 2022 / MSH

BE merr sanksione të reja kundër Rusisë

Lumi i sanksioneve për Rusinë nuk ka fund.

Është Bashkimi Evropian organizata e fundit që ka ndërmarrë sanksione të reja kundrejt shtetit rus, pasi ky i fundit vendosi të pushtojë Ukrainën.

Kështu, nesër do të hyjë në fuqi pakoja e katërt e sanksioneve të BE-së për Rusinë, që nga fillimi i invazionit rus.

Në këtë pako hyjnë ndalimi i eksportit të mallrave luksoze si dhe asetet e kriptovalutave.

“Së pari, ne do t’i mohojmë Rusisë statusin e kombit më të favorizuar në tregjet tona. Kjo do të revokojë përfitimet e rëndësishme që Rusia gëzon si anëtare e OBT-së. Kompanitë ruse nuk do të marrin më trajtim të privilegjuar në ekonomitë tona”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

BE do të punojë gjithashtu për të pezulluar të drejtat e anëtarësimit të Rusisë në institucionet kryesore financiare shumëpalëshe, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Von der Leyen tha se BE do të sigurohet që Rusia të mos mund të marrë financime, kredi ose ndonjë përfitim tjetër nga këto institucione.

Më herët edhe vendet e G7 njoftuan se do të ndërmarrin veprime për t’i mohuar Rusisë statusin e të ashtuquajturit “kombi më i favorizuar”, i cili do të revokonte përfitimet e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.