75 Mall Live Search
21:58 / E Hënë, 08 Dhjetor 2025 / B XH

BE miraton listën e “vendeve të treta të sigurta”, Italia synon zhbllokimin për qendrat në Shqipëri

Bashkimi Europian ka miratuar sot, 8 dhjetor, rregulloren e re për procedurat e emigracionit dhe listën e vendeve “të treta të sigurta”, duke hapur rrugën për zbatimin e politikave të reja të emigracionit që Italia pret t’i përdorë për të aktivizuar qendrën e pritjes dhe verifikimit të ngritura në Shqipëri.

Sipas medias italiane “La Repubblica”, ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i cili ndodhej në Bruksel për Këshillin e Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë, deklaroi se miratimi i listës ka qenë kusht kyç për t’i propozuar qeverisë italiane ratifikimin e marrëveshjeve që do të lejojnë funksionimin e plotë të qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar.

Sipas vendimit të BE-së, vendet që klasifikohen si të sigurta janë Bangladesh, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunisia.

Këta shtetas do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të azilit, të cilat zakonisht përfundojnë me refuzim të kërkesës, përveç rasteve të veçanta. Gjithashtu nëse emigrantët kanë kaluar përmes një vendi të tretë të sigurt, aplikimi i tyre mund të shqyrtohet pikërisht në atë vend.

Vendimi favorizon Italinë, pasi shumica e mbërritjeve të fundit në brigjet italiane vijnë nga Bangladeshi dhe Egjipti, si dhe nga Tunizia.

Çfarë do të thotë “vend i tretë i sigurt”?

Rregullorja i lejon vendet anëtare të BE-së të shpallin një kërkesë azili të papranueshme kur kërkuesit kanë pasur mundësi të marrin mbrojtje në një vend tjetër të sigurt para se të hynin në BE.

Një vend konsiderohet i sigurt kur përqindja e dhënies së azilit për shtetasit e tij është më pak se 20%; ekziston një lidhje mes emigrantit dhe vendit të tretë; emigranti ka kaluar përmes atij vendi; ekziston një marrëveshje midis BE-së dhe vendit të tretë për shqyrtimin e kërkesave.

Megjithatë, këto rregulla nuk zbatohen për të miturit e pashoqëruar.

Komisioneri Europian për Migracionin, Magnus Brunner, tha se tashmë ekziston baza ligjore për ide “të reja dhe inovative” në menaxhimin e flukseve emigratore.

Ai përmendi vendet që tashmë po negociojnë marrëveshje të tilla si Holanda me Ugandën dhe Italia me Shqipërinë

“Do të ishte pozitive nëse disa vende bashkojnë forcat,” tha Brunner, duke theksuar se vendimmarrja finale i takon shteteve anëtare dhe vendeve të treta./RTSH