17:03 / E Hënë, 17 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

BE nuk e lë pa reaguar pas përplasjes Haradinaj-Mogherini

Bashkimi Evropian ka reaguar pas takimit mes një delegacioni të saj dhe delegacionit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të Këshillit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në Bruksel.

BE në një deklaratë për shtyp ka thënë se zyrtarët e saj gjatë takimit “kanë shprehur keqardhje për rritjen e tarifës për produktet e imporuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”.

“Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave. BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme”, thuhet në njoftimin e BE-së.

“Futja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar rrjedhën e tregtisë dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes”, thuhet në deklaratën e BE-së.

BE ka thënë se “takimi njohu progresin e bërë në zbatimin e Axhendës Evropiane të Reformës dhe bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të masave të pazgjidhura.”