11:01 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

BE: Përkushtim për perspektivën evropiane të Bosnjës

Në mbledhjen e sotme të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Luksemburg, është përsëritur përkushtimi për perspektivën në BE të Bosnjë-Hercegovinës si shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran.

Ministrat e jashtëm i kanë miratuar konkulzionet ku shprehet keqardhje për “retorikën përçarëse me origjinë në të kaluarën, ndërsa agjenda e zgjedhjeve të parakohshme gjatë muajve të fundit i ka ngadalësuar reformat dhe ka ndikuar në klimën politike” në Bosnjë.

Ministrat, po ashtu, kanë kërkuar që Sarajeva “t’i shtoj përpjekjet për funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e radikalizimit”.

Bosnja ka mbetur prapa fqinjëve të vet në rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja për Asocim ndërmjet BE-së dhe Bosnjë-Hercegovinës ishte nënshkruar në vitin 2008, por ajo nuk kishte hyrë në fuqi deri në vitin 2015, kryesisht për shkak të mungesës së progresit të Bosnjës në reforma./rel