13:23 / E Martë, 12 Shtator 2023 / AR

BE publikon agjendën e takimit Kurti-Vuçiq

Bashkimi Europian ka publikuar agjendën e takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet më 14 shtator në Bruksel.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell do të presë në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

BE ka njoftuar se Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, të cilët do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pasi të përfundojnë takimet, Borrell ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, takime të nivelit të lartë s’janë mbajtur përveç atyre të nivelit teknik.