75 Mall Live Search
11:45 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

BE shpreh keqardhje për shtyrjen e zbatimit të Marrëveshjes për gjyqësorin

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për kërkesën e Serbisë që integrimi i personelit serb në gjyqësorin e Kosovës të shtyhet, tha zëdhënësja e bllokut, Maja Kocijançiq.

“Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për gjyqësorin. Integrimi i personelit është i rëndësishëm, sepse i kontribuon sundimit të ligjit në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Mitrovicës”, tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel, njofton rel.

Sipas saj, kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.

Kocijançiq kujtoi se përparimi i të dyja palëve në integrimin evropian është i lidhur me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Dyzet e dy gjyqtarë dhe katërmbëdhjetë prokurorë serbë sot refuzun dekretimin nga presidenti i Kosovës Hashim Thaci për të nisur më pas punën në veri të Kosovës, si rezultat i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Presidenca e Kosovës pëmes një komunikate për media ka njoftuar se Zyra e Presidentit ishte e gatshmë të presë gjyqtarët por ata nuk u paraqitën fare.

E për këtë veprim Presidenca e Kosovës e ka akuzuar Republikën e Serbisë, që sipas tyre nuk i lejoi me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.

Presidenca ndër të tjerash këtë veprim e quajti edhe një dështim tjetër të BE-së si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi./AktivPress