15:44 / E Hënë, 29 Prill 2024 / S Z

BE shqyrton ndërprerjen e furnizimit me gazin rus

Më shumë se dy vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, BE-ja po i afrohet më shumë sanksioneve kundër gazit natyror rus.

Sipas informacionit të dhënë në faqen e lajmeve ‘Politico Europe’, Komisioni Evropian shpreson të përfshijë në paketën e tij të 14-të të sanksioneve një ndalim të rishitjes së gazit rus në formë të lëngshme (LNG) nga portet e BE-së, si dhe masat kundër tre projekteve të reja ruse të LNG-së.

“Unë do ta mbështes fuqishëm këtë, shpjegoi ministri gjerman për biznesin dhe klimën, Robert Habeck, javën e kaluar”, njofton ‘Politico’, transmeton RTK.

Megjithëse vendet e BE-së e kanë shkurtuar ndjeshëm varësinë e tyre nga energjia ruse, rreth 15 për qind e gazit në BE ende vjen nga Rusia, kryesisht në portet në Belgjikë, Holandë dhe Francë.

Ambasadorët e vendeve të BE-së pritet të kenë një diskutim mbi paketën numër 14 të sanksioneve në takimin e tyre javën e ardhshme.