BE shqyrton trajnimin e 3 mijë policëve palestinezë, për Gazën
Bashkimi Evropian po shqyrton zgjerimin e misionit të tij civil dhe trajnimet për 3,000 oficerë palestinezë në Gaza, në kuadër të një plani 20-pikësh të propozuar nga presidenti Trump, ndërsa perspektivat për zbatimin mbeten të paqarta.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë javën e ardhshme një propozim që blloku të marrë drejtimin në trajnimin e 3.000 oficerëve palestinezë të policisë, me synimin që më vonë t’i dislokojë ata në Gaza, sipas një dokumenti të parë nga Reuters të premten.
Në një material të përgatitur nga shërbimi diplomatik i bllokut para mbledhjes së ministrave më 20 nëntor, zyrtarët parashtrojnë opsione për kontributin në zbatimin e një plani me 20 pika për Gazën, të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord në tetor për fazën e parë të planit, por zbatimi i pjesëve të tjera mbetet shumë i pasigurt.
Në dokument, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm paraqet propozime për zgjerimin e dy misioneve civile të bllokut në rajon, të cilat fokusohen në asistencën kufitare dhe mbështetjen e reformave të policimit dhe drejtësisë nga Autoriteti Palestinez.
Misioni i BE-së për mbështetjen e policisë mund të “marrë drejtimin në trajnimin e forcës së policisë palestineze në Gaza duke ofruar trajnim dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për afërsisht 3,000 oficerë palestinezë të policisë (në listën e pagave të AP-së) nga Gaza, me synimin për të trajnuar të gjithë forcën policore palestineze prej 13.000 vetash”, thuhet aty
Nuk është e qartë nëse BE-ja do të ecë përpara me këtë plan
Dokumenti ngre gjithashtu idenë e zgjerimit të misionit civil të monitorimit kufitar të BE-së në Rafah në pika të tjera të kalimit kufitar.
Por perspektivat që BE-ja të vazhdojë me këto iniciativa mbeten të paqarta.
Rusia propozoi të enjten draftin e saj të një rezolute të OKB-së për Gazën, duke sfiduar përpjekjen e SHBA-ve për të kaluar tekstin e vet që do të mbështeste planin e presidentit Trump.

