75 Mall Live Search
12:30 / E Martë, 27 Janar 2026 / S Z

BE-ja shqyrton zgjidhjen pas bllokimit të kufijve për mallrat drejt Schengenit

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se po shqyrtojnë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e krijuar me transportuesit rajonalë, i cili çoi në bllokimin e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen.

“Jemi të vetëdijshëm se për një numër profesionistësh nga vendet e treta, të cilët nuk janë punëtorë ndërkufitarë, mund të ketë nevojë të qëndrojnë në zonën Schengen për më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve. Kjo përfshin profesione me mobilitet (lëvizshmëri) të lartë, siç janë shoferët e kamionëve, por edhe atletët dhe artistët në turne. Është një çështje që ka vëmendjen tonë të plotë dhe është diçka që po e shqyrtojmë”, ka thënë  Marcus Lammert – zëdhënës i KE-së.

Transportuesit rajonalë konsiderojnë se sistemi i ri i hyrje-daljeve po shkakton vonesa dhe humbje ekonomike dhe e shohin atë si burim penalizimesh. Ata kërkojnë që të përjashtohen nga zbatimi i këtij sistemi.

Mirëpo, zyrtarët evropianë tërheqin vëmendjen se sistemi i ri i hyrje-daljeve nuk krijon kushte shtesë përtej atyre që tashmë ekzistojnë në zonën Schengen.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga transportuesit në Ballkanin Perëndimor. Po e ndjekim situatën nga afër dhe jemi në kontakt me partnerët në rajon. Sistemi i hyrje-daljeve nuk paraqet asnjë rregullore të re dhe asnjë kërkesë të re në lidhje me kohëzgjatjen e qëndrimit në zonën Schengen. Ai synon të sigurojë një zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese, si dhe një zbulim më të mirë dhe më sistematik të praktikave të parregullta”, ka shtuar Lammert.

Sistemi i hyrje-daljeve, i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me atë digjitale, filloi zbatimin e pjesshëm në tetor të vitit të kaluar, ndërsa pritet të jetë plotësisht operativ në prill të këtij viti.