75 Mall Live Search
14:54 / E Martë, 15 Nëntor 2022 / LB

BE: Situata Kosovë-Serbi, më shqetësuesja që nga viti 2013

Bashkimi Evropian pret nga Kosova dhe Serbia që problemet t’i zgjidhin me dialog, përfshirë edhe situatën e fundit të krijuar në veri.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, deklaroi sot në Bruksel se Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë, pas takimit të Këshillit, në lidhje me këtë çështje dhe se çfarë vendet anëtare presin nga Kosova dhe Serbia.

“Ky është progresi në dialog, de-eskalimi dhe përparimi konstruktiv”, tha Stano, i pyetur për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të mbështesim situatën aktuale që është një nga krizat më shqetësuese që nga viti 2013 dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së (Josep Borrell) ka qenë shumë i qartë se se çfarë presim nga të dy palët dhe çfarë jemi duke bërë për t’i ndimuar ata për të gjetur një zgjidhje evropiane në lidhje me këtë situatë”, tha Stano para mediave në Bruksel.

Ai deklaroi se nuk do të përmendë detaje nga e kaluara se çfarë është bërë në nivele të ndryshme, përfshirë edhe në nivelet më të larta me të cilët Borrel ka folur, si me kryeministrin Kurti e me presidentin Vuçiq të premten e kaluar në Paris.

“Bisedimet po vazhdojnë nga emisari special Miroslav Lajçak i cili është duke takuar sot shefin  për bisedime të Kosovës, dhe ky është edhe një hap që është ndërmarrë”, tha Stano. “Por  është e zakonshme sikurse në këtë rast që ne me të vërtetë nuk komentojmë apo njoftojmë për takimet për shefat e delegacioneve”, transmeton Rtklive.

Ai tha se ky është një nivel praktik i punës në të cilin problemet diskutohen dhe zgjidhjet përgatiten në mënyrë që liderët t’i diskutojnë ato në nivele të larta.

“Ne vazhdojmë të mirëpresim të dy palët, kryeministrin Kurti, presidentin Vuçiq në Bruksel, ashtu siç ka thënë dje Përfaqësduesi i Lartë i BE-së, kurdo që ata duan të tregojnë gjetjen e një zgjidhjeje evropiane për problemet e tyre”.

Stano deklaroi se puna vazhdon. “Por pa mundësinë nga ana jonë që të tregojmë çdo detaj të procesit”.

Ai tha se BE-ja është duke ndihmuar Kosovën e Serbinë që të gjejnë një zgjidhje. “Por  nuk është BE-ja një nga ata më të interesuarirt për gjetjen e  zgjidhjes, pasi u takon të dy palëve dhe është përgjegjësi e tyre, që të gjejnë rrugëzgjidhje nga situata aktuale”.

Stano nuk tregoi nëse Petar Petkoviq, shef  i delegaconit të Serbisë për bisedime me Kosovën ndodhet aktualisht në Bruksel, duke kërkuar që gazetarët për një çështje të tillë, të pyesin në Qeverinë e Serbisë.