75 Mall Live Search
09:27 / E Martë, 12 Gusht 2025 / S Z

BE: Ukraina duhet të jetë në gjendje ta zgjedhë fatin e saj

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë të martën se “Ukraina ka të drejtën e natyrshme të zgjedhë vetë fatin e saj”.

Ky qëndrim i bllokut evropian vjen tri ditë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, për të biseduar për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës që ka nisur, më 2022.

“Ne, udhëheqësit e BE-së, mirëpresim përpjekjet e presidentit Trump drejt përfundimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe arritjes të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe të sigurisë për Ukrainën”, u tha në deklaratë.

“Një paqe e qëndrueshme që sjell stabilitet dhe siguri duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, u shtua në deklaratën e bllokut.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit evropianë pritet të takohen me Trumpin të mërkurën.

Trump ka qenë i paqartë për pritjet e tij nga samiti në Alaskë me Putinin të premten, duke thënë se dëshiron që të shikojë dhe vlerësojë se cilat janë idetë e udhëheqësit rus për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Zelensky ka përjashtuar mundësinë e dorëzimit të territoreve të pushtuara me forcë. Trump – i cili publikisht është përplasur me Zelenskyn në një takim në Shtëpinë e Bardhë në shkurt – tha se ishte “pak i shqetësuar” nga qëndrimi i Zelenskyt dhe këmbënguli se do të duhet të bëhen shkëmbime të territoreve.

“Do të ketë disa shkëmbime, do të ketë disa ndryshime në territore”, deklaroi ai.

Por, udhëheqësi amerikan po ashtu tha se do t’i thotë Putinit se “duhet ta përfundosh këtë luftë”.

Trump dhe Putin do të takohen në Alaskë më 15 gusht. BE-ja po përpiqet që edhe Zelensky të jetë i përfshirë në këto bisedime.

Presidenti amerikan po ashtu deklaroi se “ne do të tentojmë t’ia kthejmë mbrapsht Ukrainës një pjesë të atij territori”.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan përmend “shkëmbimin e territoreve”, pavarësisht se nuk është e qartë se çfarë toke mund t’i japë Rusia Ukrainës.

Kievi nuk ka pretenduar kontroll asnjëherë në territorin rus./RadioEvropaeLirë