BE: X po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara

Platforma X e miliarderit, Elon Musk, po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara dhe po shkel rregullat e përmbajtjes të Bashkimit Evropian, tha Brukseli më 12 korrik, njoftim që mund të çojë në gjoba të majme.
Rregullatorët e BE-së nuk janë të kënaqur me sistemin e verifikimit të llogarive në X, nën pronësinë e Muskut, pasi që kushdo që ka abonim premium mund të verifikojë llogarinë.
Më herët, para se Musk të blinte platformën – që paraprakisht quhej Twitter – llogaritë e verifikuara ishin të rezervuara për liderët, kompanitë dhe gazetarët, pas miratimit.
Vërejtja zyrtare ndaj platformës X është e para që bëhet sipas Aktit të shërbimeve digjitale (DSA), një ligj që detyron kompanitë digjitale të bëjnë më shumë për të kontrolluar përmbajtjen online.
Vërejtja u bë pasi rregullatorët nisën një hetim dhjetorin e vitit të kaluar.
X bëhet kompania e tretë që përballet me vërejtje të BE-së për shkelje të rregullave të reja, pasi Brukseli paralajmëroi kompanitë Apple dhe Meta që të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë ose do të përballen me gjoba masive për shkelje të ligjit të dytë të njohur si Akti i tregjeve digjitale (DMA).