Bebe Rexha do të jetë pjesë e programit festiv të Disneyt me rastin e festave të fundvitit
Televizioni ABC në Amerikë ka zbuluar listën e performuesve për programin tradicional festiv “The Wonderful World of Disney: Holiday Spectacular”, dhe këtë vit një nga emrat që bie më shumë në sy është këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha.
Në programin e prezantuar nga Derek Hough, Bebe do të interpretojë këngën klasike të Brenda Lee, “Rockin’ Around the Christmas Tree”, një prej hiteve më të njohura të sezonit të festave.

Në pamjet që tashmë kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Bebe shihet e veshur me një fustan të gjatë dhe elegant, ku duket se do të ketë një paraqitje shumë dinjitoze dhe të denjë për magjinë e mbrëmjes festive.
Pjesë e spektaklit është edhe Gwen Stefani, e cila do të sjellë performancën e saj me këngën e re “Shake the Snow Globe”, e përfshirë në kolonën zanore të filmit Oh. What. Fun., që publikohet më 3 dhjetor në Prime Video.
Në skenë do të ngjiten edhe artistë të tjerë të njohur si Mariah the Scientist me versionin e saj të “Santa Baby”, Nicole Scherzinger me “O Holy Night”, Aloe Blacc me “This Christmas”, si dhe fituesi i sezonit të 21-të të American Idol, Iam Tongi, me këngën “Hawaiian Roller Coaster Ride”.

