09:58 / E Mërkurë, 20 Tetor 2021 / OSH

Bebe Rexha ndan me fansat një imazh të rrallë – fotografinë e panos nga shkolla e mesme

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, sot është një emër shumë i kërkuar dhe i famshëm në tregun e muzikës.

Por në fëmijërinë e saj, ajo ka qenë vetëm një vajzë e thjeshtë nga një familje emigrante në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rexha, e cila është mjaft e ndjekur nga fansat e saj në rrjetet sociale, ka ndarë me 10.7 milionë ndjekësit e saj së fundmi një fotografi të rrallë nga koha e fëmijërisë.

Bëhet fjalë për fotografinë kolektive të klasës në shkollën e mesme, ku artistja ka prezantuar portretin e saj të asaj kohe.

Foto: Bebe Rexha/InstaStory

Artistja, e cila në këtë imazh figuron me emrin e vërtetë të saj, Bleta Rexha, mund të vërehet lirshëm nga shumë tipare të fytyrës, të cilat i ka të njëjta edhe sot.

Bebe Rexha është lindur në Brooklyn të New Yorkut, por është rritur në lagjen tjetër të qytetit gjigant, Staten Island, ku edhe ka kryer shkollën e mesme, “Tottenville High School”.

Këngëtarja e hitit “I’m a mess” nuk i ka të pakta postimet e tilla në rrjetet sociale, pasi vetëm pak javë më parë ajo ndau me fansat një tjetër imazh nga fëmijëria e saj, të realizuar me stërgjyshen në Gostivar të Maqedonisë – prej nga ka prejardhjen familja e nënës së saj.